Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin. Festimi i kësaj feste përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes. Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë, fillon në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falin namazin. Në Tiranë falja po kryhet para xhamisë së Et’hem Beut.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, uroi dje të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në mesazhin e urimit drejtuar Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me rastin e festës së Kurban Bajramit, thekson se “kjo ditë e shënuar e kalendarit islamik frymëzon tek secili besimtar mysliman ndjenjën e përulësisë ndaj të Plotfuqishmit, shprehjen e forcës së besimit dhe të shërbesës së lartë ndaj tij dhe çlirimin e shpirtit dhe të mendjes nga rëndesat e vështirësive të jetës së përditshme dhe të padrejtësisë njerëzore”.
Fjala “Kurban” e ka origjinën nga fjala “kurbijjet” që ka kuptimin afrim. Pra “Kurban” do të thotë “ti afrohesh diçkaje”. Në kuptimin fetar kjo do të thotë ti afrohesh “Allahut”.
Kurbani ashtu siç ka disa rregulla dhe kushte themelore fetare ka edhe tradita. Pikë së pari personi që bën kurbanin duhet të jetë prezent në therjen e kurbanit. Në raste të veçanta kjo mund të bëhet edhe me autorizim. E arsyeshme është që kurbani të theret nga vetë personi, por duke qenë se këtë nuk mund ta bëjnë dot të gjithë, edhe ky veprim bëhet me autorizim.
Por më e rëndësishmja këtu është shpërndarja e mishit të kurbanit. Kurbani ndahet në tre pjesë. Njëra pjesë i shpërndahet të varfërve, tjetra miqve, fqinjëve apo të njohurve që nuk kanë therur kurban. Kurse pjesa e tretë duhet të mbesë patjetër në shtëpi dhe të konsumohet nga pjesëtarët e familjes.
Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla të cilat duhet t’u serviren edhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur. Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.
Në këte ditë njerëzit shkojnë për vizita tek të afërmit, fqinjët, shokët e miqtë dhe i urojnë bajramin njëri tjetrit si dhe shkëmbejnë dhurata të vogla si ëmbëlsira e lule. Ata që nuk flasin me njëri-tjetrin pajtohen, të varfrit dhe fëmijët lumturohen.
Tags: Bamir Topi, Besimtaret myslimane, besimtarët myslimanë shqiptarë, Ethem Beut, Et’hem Beut, Festimi i kësaj feste, komunitetit mysliman, Kurban Bajramit, Presidenti i Republikës, sot Kurban Bajramin